Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka dalë me një reagim të ri për rastin e pacientit me inicialet F.S., i cili u hodh nga dritarja e spitalit dhe vdiq. Ky rast në polici është hapur si vetëvrasje, ndërsa sipas SHSKUK-së familjarët kanë akuzuar Klinikën e Nefrologjisë-Shërbimin e Dializës, se pacientit nuk i ishte realizuar Dializa.
Lidhur me këto akuza, SHSKUK thotë se pacienti në fjalë ka qenë në program kronik të dializës.
Sipas tyre, “Gjatë qëndrimit në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, pacienti kishte realizuar seancat e rregullta të dializës në Klinikën e Nefrologjisë. Vetëm javën e fundit ka realizuar disa dializa të rregullta”.
Sipas SHSKUK-së, pacienti në fjalë të shtunën (një ditë para vdekjes), ka realizuar seancën e plotë 4 orë.
Reagimi i plotë i SHSKUK-së:
Sqarim nga Klinika e Nefrologjisë në QKUK
Në lidhje me raportimet në medie për rastin e djeshëm, të pacientit F.S., në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, e ku familjarët e pacientit, në medie, kanë akuzuar Klinikën e Nefrologjisë- Shërbimin e Dializës, se pacientit nuk i ishte realizuar Dializa, Klinika Nefrologjisë në QKUK, sqaron se pacienti F.S., ka qenë në program kronik të Dializës.
Gjatë qëndrimit në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, pacienti kishte realizuar seancat e rregullta të dializës në Klinikën e Nefrologjisë. Vetëm javën e fundit ka realizuar disa dializa të rregullta.
Me datë 8 janar 2023, me 10 janar 2023, 12 janar 2023, ditën e premte, 13 janar 2023, ka refuzuar të realizojë seancën e dializës, ndërsa ditën e shtunë, 14 janar 2023 ka realizuar seancën e plotë të Dializës e cila zgjatë 4 orë, sipas protokollit mjekësor.
Pacientët kronik dializohen 3 herë nga 4 orë në javë, kurse pacienti në fjalë të shtunën ka realizuar seancën e plotë, 4 orë.
Andaj, Klinika e Nefrologjisë njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se është në shërbim të pacientëve 24-orë, për të gjitha raste që kanë nevojë për trajtim mjekësor në fushën e nefrologjisë.