Raporti i organizatës “Europa Nostra” ku e ka konsideruar të rrezikuar Manastirin e Deçanit është kthyer sërish në temë diskutimi dhe ka ngjallur reagimin e institucioneve vendore.
Ministrat Liburn Aliu e Hajrulla Çeku në një takim që kishin pasur me përfaqësuesit e kësaj organizate kishin kërkuar që “Europa Nostra” t’i kërkojë falje Kosovës për konstatimin e bërë.
E lidhur me këtë konstatim të “Europa Nostra” se Manastiri i Deçanit është një nga 7 monumente të rrezikuara ka reaguar sot edhe kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
“Vlerësojmë se raporti i publikuar më datë 13.07.2022, nga ‘EuropaNostra’ është i pabazuar dhe nuk përket me realitetin e përditshëm i cili ndodh në komunën e Deçanit”, thuhet në reagimin e Ramosajt.
“E themi me bindje që ‘EuropaNostra’ nuk i është referuar në asnjë moment raporteve zyrtare të nxjerra nga mekanizmat relevante të sigurisë, përfshirë KFOR-in si përgjegjës i drejtpërdrejtë në këtë zonë, i cili i është prezantuar delegacionit të ‘EuropaNostra’ gjatë takimit në komunën e Deçanit!
Vlerësojmë se, ‘EuropaNostra’ është dashur që t’i trajtoj me më kompetencë dhe profesionalizëm aspektin e sigurisë juridike duke iu referuar organizatave ndërkombëtare që në mandatin e tyre e kanë monitorimin për zbatimin e ligjshmërisë siç është OSCE, BE, KZM-ja si trupë monitoruese dhe dokumenteve relevante të cilat i posedon komuna e Deçanit”, thuhet më tej në reagimin e kryetarit të Deçanit.
Ai ka shprehur indinjatën kundrejt pretendimit të organizatës që Manastiri i Deçanit të shpallet ndër 7 objektet më të rrezikuara, pa i vlerësuar faktet konkrete të cilat kanë relevancë për çështjen në fjalë, dhe të cilat u janë ofruar delegacionit tuaj gjatë takimit në komunën e Deçanit.
“E themi me përgjegjësinë më të lartë që objektivat dhe qëllimet e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të komunës së Deçanit janë paqësore, objektiva të zhvillimit ekonomik dhe bashkëjetesës së harmonizuar, duke respektuar, mbrojtur e njohur vlerat e kujtdo qofshin në këtë shtet e në veçanti të Manastirit në fjalë”, tha ai.
Ndryshe, organizata “Europa Nostra” kishte theksuar se Manastiri i Deçanit është një nga 7 monumente të rrezikuara. Po ashtu theksohej se Manastiri rrezikohet nga elementët ekstremistë që lidhet me radikalizmin fetarë që përmendet organizata ISIS.