Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se abetarja e parë e unifikuar është pjesë e punës së përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, për të gjithë fëmijët shqiptarë.
“Gëzuar abetaren e parë të unifikuar, krijesë e bashkimit të vullneteve të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, për të gjithë fëmijët shqiptarë këtej e andej bjeshkëve, e kudo ata ndodhen”, ka shkruar Rama në Facebook.
Në dhjetor të 2021 ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi dhe ministrja e Arsimit e Kosovës, Arbërie Nagavci nënshkruan marrëveshjen për abetaren e përbashkët unike që do të përdoret në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.
Lajmi është bërë sot i ditur nga ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit në Shqipëri, Evis Kushi.
Postimi i plotë i Kushit:
Sot është dita e parë që mësuesit tanë në të gjithë vendin kthehen nga pushimet dhe fillojnë intensivisht punën për t’u përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor.
Nuk mund të nisnim më mbarë se sa me trajnimet e para të mësuesve për Abetaren e Përbashkët Unike, e cila tashmë është gati dhe këtë shtator do të jetë në duart e çdo vogëlushi.
Jam shumë e lumtur që në datën 1 shtator do të jem bashkë me Ministren Arbërie Nagavci në ditën e parë të shkollës në Kosovë, ku prej andej do të nisim promovimin e risisë më të bukur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Suksese dhe punë të mbarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës!