Kryeministri Edi Rama ka shkuar këtë të hënë në Hagë ku është takuar me Presidentin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Kancelarin dhe Kryeprokurorin e kësaj gjykate.
“Hagë – Me presidentin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Piotr Hofmański dhe Kancelarin Pieter Lewis, si dhe me Kryeprokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan”, shkruan Rama.
Gjatë vizitës së tij në Holandë Rama ka zhvilluar edhe një bashkëbisedim në qendrën “De Balie”, ku ka folur rreth jetës së tij, karrierës si politikan, por edhe si artist. Fokusi ishte te integrimi i Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama foli edhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian si dhe zhvillimet e fundit në këtë aspekt.
“Mendoj se duhet të ishin çelur negociatat prej shumë vitesh, mbase vitin e ardhshëm por nuk do humbasim më gjumë për këtë, ne. Mbetëm duke organizuar dasma, dasma të mëdha me muzikë. Prisnim të vinte nusja nga Brukseli, por 1 vit 2 vjet 3 vjet asnjëherë nuk erdhi. Nëse do të vijë të martohet me ne pa muzikë dhe menjëherë në shtrat dhe të bëjmë fëmijë, le të vijë. E them me humor, por imagjinoni veten kur doni të martoheni seriozisht por ajo nuk shfaqet asnjëherë” – tha Rama.