Kryeministri Edi Rama ka propozuar që në muajin nëntor të këtij viti të mbahet një Kuvend i përbashkët i dy Kuvendeve, të Shqipërisë dhe Kosovës.
Ai në fjalën e tij ka folur edhe për raportimet e vazhdueshme për raportet e tensionuara me Kurtin.
“Kërkojnë të futin xixa mes nesh, dhe çështje të hapura mes meje dhe homologut, dhe nuk ka te tilla. Kur ne kemi nisur punën me qeveritë e Kosovës kemi pasur një volum 160 mln euro të shkëmbimeve tregtare, sot volumi është 433 mln euro. E dyta është se sot në Shqipëri rezultojnë të regjistruar mbi 1 mijë subjekte nga Kosova”, ka thënë ai.
Tutje Rama falendëroi për mundësinë kryeministrin kosovar, Albin Kurti derisa me ironi falënderoi atë ‘’edhe për ndalimin e shiut’’.
‘’Faleminderit edhe për ndalimin e shiut, sepse ka pasur reshje nga 20 minuta që mund të prishnin takimin, ishte një qen aty që lehte para se të këndoheshin himnet, mirëpo edhe qeni nuk lehu më, çka mbase jep një mesazh për të ngjashmit me të në botën e njerëzve, që tentojnë vazhdimisht të fusin xixa mes nesh, dhe kërkojnë të shikojnë me patjetër çështje të hapura mes meje edhe homologut këtu, nuk ka të tilla sepse ne jemi shumë të hapur dhe përr çështjet me të cilat nuk merremi vesh t’i ndajmë, të fala përkatëse për qenin, unë e konsideroj të hapur këtë mbledhje’’, tha Rama.
Pas kësaj Kurti filloj me marrëveshjet dhe memorandumet për ditën e sotme, ku e para ishte mes ministrive të arsimit, derisa i dha fjalën sërish homologut shqiptar.
E këtu Rama pati një ‘’vërejtje’’ derisa tha se në letrat që kanë përpara shihen shkronjat e vogla.
‘’Qëkur Vetëvendosja ka marrë Qeverinë këto shkronja janë zvogëluar, besoj për kursim letre, sepse është tanimë fakt i njohur që VV është forcë qeverisëse shumë e kujdesshme për shpenzime’’, tha Rama.