Kryeministri Edi Rama tha në fjalën e mbajtur në seancën e përbashkët mes dy Kuvendeve, se Kosova duhet ta ngrijë ta ngrijë pa afat dialogun bilateral me Serbinë.
Sipas tij tashmë Kosova duhet të shkëputet nga mënyra se si deri më tani ka dialoguar me Serbinë, e ta synojë dialogun përmes Bashkimit Evropian.
Ai deklaroi se i gjithë faji për degradimin e dialogut duhet të bjerë te Serbia, por shtoi se “pezmatimi i aleatëve tanë strategjikë me Kosovën na pengon që të bëjmë për Kosovën sa do të donim”.
Ai tha se Kosova duhet ti japë Bashkimit Evropian provën e përkatësisë së saj në gjirin evropian, e për të bërë këtë, sipas kryeministrit të Shqipërisë duhet të përmbushë kushtet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Më lejoni të ndaj këtu sot me ju opinionin tim tani më të konsoliduar më këtë rrugëtim, ku shumë kam parë e mësuar nga marrëdhëniet me miq, me aletatët dhe me jo dashamirqësit tanë, se në këë fazë kaq vendimtare në rrugëtimin e saj të integrimit evropian dhe euro-atlantik, Kosova duhet ta ngrijë pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior, duhet ta synojë përmes dialogut bilateral me Bashkimin Evropian.
Duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist, me Serbinë dhe duke lidhur kërthizën e reciprocitetit evropianist me Bashkimin Evropian. E thënë ndryshe, Kosova mund t’ja japë familjes evropiane dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut në një kohë shumë të shkurtër provën e padiskutueshme të vullnetit dhe të përkatësisë së vet në gjirin e Evropës së bashkuar e NATO-s duke përmbushur të gjitha kushtet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, jo për hir të Serbisë, por për hir të martirëve dhe të fëmijëve të vet dhe për hir të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve evropiane me kryeqytet të përbashkët Brukselin”, tha Rama.