Rastet e raportuara të dhunës në baza gjinore paraqesin një trend në rritje në të gjitha komunat. Nga komunat me rritjen më të madhe të rasteve të raportuara të dhunës në baza gjinore është Mitrovica, u tha me rastin e publikimit të Raportit për Vlerësimin në Bazë të Dhunës në Baza Gjinore në Kosovë, Perceptimet e Komunitetit dhe Palëve të Interesit.
Dea Fetiu, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), gjatë prezantimit të raportit tha se nga të gjeturat rezulton se me rritjen e raportimit të dhunës, është rritur vetëdija e qytetarëve për të raportuar dhunën.
“Sipas takimeve që kemi mbajt në komuna dhe sipas të dhënave që kemi mundur t’i marrim prej Policisë së Kosovës dhe prej Gjykatave, ka dalë që rastet e raportuara të dhunës në baza gjinore janë në një trend rritje çdo vit. Gjatë viteve të fundit kanë shënuar një rritje kogja të madhe të raportimit të rasteve të dhunës në familje dhe në baza gjinore. Kjo nuk do të thotë që dhuna është rritur, por që është rritur edhe vetëdija e qytetarëve për raportim. Kemi parë që dhuna nuk raportohet në momentin e parë që paraqitet, sipas takimeve që kemi mbajt me komuna, po ashtu edhe në intervistat me strehimore ka dalë që shumica e grave nuk e raportojnë dhunën menjëherë si të paraqitet, por raportimi është rezultat i një dhune që ato e kanë përjetuar për një kohë të gjatë”, theksoi Fetiu.
Fetiu ka përmendur edhe disa nga barrierat që kanë hasur gjatë të gjeturave në raport, derisa thotë se një prej tyre është edhe mungesa e informacioneve tek gratë.
Sipas saj, një prej arsyejeve që gratë nuk e raportojnë dhunën është se nuk kanë ndonjë alternativë ku të shkojnë.
“Barrierat e raportimit, sipas të gjeturave kanë dalë se një ndër to është mungesa e informacionit të grave, që ato shpesh nuk kanë të dhëna për të drejtat e tyre dhe që mund t’i kërkojnë ato, po ashtu tjetër barrierë mund ta është stigma sociale, duke përfshirë të gjitha paragjykimet që shfaqen nga komuniteti i një gruaje që raporton dhunën. Ndërsa, kemi edhe raste të raportimit të dhunës nëpër institucione tjera dhe jo në Policinë e Kosovës, në disa komuna kemi pas raste që gratë e kanë lajmëruar dhunën direkt në strehimore, duke u munduar t’i ikin etiketimit të policisë por edhe pjesëmarrjes së policisë në këtë mes. Një prej arsyejeve që gratë nuk e raportojnë dhunën është se nuk kanë ndonjë alternativë ku të shkojnë, kjo është e lidhur ngushtë me pavarësinë ekonomike të tyre, kushtet e vështira ekonomike por edhe mendësinë patriarkale, e cila jo gjithmonë jep alternativë se ku munden me qenë më sigurt se në shtëpinë e tyre”, thotë Fetiu.
Erblina Dinarama nga Shtëpia e Sigurt, Gjakovë gjatë diskutimit u shpreh se rastet e viktimave të dhunës në familje trajtohen me prioritet.
“Rastet e viktimave të dhunës në familje jo vetëm nga Qendra për Punë Sociale, por nga të gjitha institucionet trajtohen me prioritet, dinjitet dhe me respektin më të madh maksimal. Ndoshta ka edhe individ të caktuar, mirëpo që udhëheqësit e institucioneve duhet të mendojnë mirë me individë që merren me trajtimin e këtyre rasteve, sepse vërtetë janë raste të ndjeshme dhe që kërkojnë trajtim adekuat në qasje të ndjeshme ndaj tyre”, thotë Dinarama.
E pyetur nëse ka mungesë të zbatimit të proceduarave të standardit të veprimit, tha se zyrtarët të cilët merren me raste tilla, Afërdita Mikullovci nga Policia e Kosovës janë në dijeni për procedurat.
“Zyrtarët të cilët merren me raste të tilla, në tërësi janë në dijeni për procedurat, pasi kanë përvoja fatkeqësisht të shumta, të cilat janë në rritje e sipër, nuk është se po rritet raportimi por është fatkeqësisht se po na ndjek si dukuri. Jemi të përkushtuar dhe maksimalisht, ndoshta mundemi me pas gabime si individë, por kryesisht i njohim procedurat e standardit të veprimit”, thotë Mikullovci.
Disa nga rekomandimet e dhëna gjatë prezantimit të rajonit janë, të realizohen fushata informuese dhe vetëdijesuese për DhBGj-në, masa më të mëdha mbrojtëse për të mbijetuarat e dhunës në familje, dhe të fokusimi në programet e rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre.