Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka dënuar ashpër sulmin në Serbi të autobusit që po vinte nga Zvicra për në Kosovë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes një reagimi në Twitter, Bislimi ka thënë se autoritetet serbe janë njoftuar për rastin në fjalë, por nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim.
“Dënojmë ashpër sulmin e planifikuar ndaj një autobusi kosovar gjatë daljes nga autostrada në Serbi. Autoritetet serbe janë informuar për sulmin, por nuk është ndërmarrë asnjë veprim. Ky mosveprim mund të interpretohet lehtësisht si ftesë e nënkuptuar për akte të tilla të tmerrshme”, ka shkruar zëvendëskryeministri i Kosovës.
Autobusi nga Kosova i kompanisë “Turist Kosova e Re”, u sulmua të shtunën mbrëma, me gurë në Serbi, saktësisht në rrugën Nish-Leskov, kur po kthehej nga Zvicra për në Kosovë.
Nga kompania për Gazetën Online Reporteri thanë se sulmi ka ardhur nga dy persona të maskuar.
“Lajmi është i vërtetë, rasti ka ndodhur mbrëmë aty afër orës 19:00 derisa kemi qenë duke u kthyer nga Zvicra për në Kosovë. Kanë qenë dy persona të maskuar të cilët kanë hedhur gur”, kanë thënë nga kompania “Turist Kosova e Re” në një bisedë telefonike me Reporteri.net.
Gjithashtu nga kjo kompani thanë se nuk është lënduar asnjë nga udhëtarët.
“Fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar”, kanë deklaruar nga “Turist Kosova e Re”.