Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka përsëritur qëndrimin e Qeverisë se nuk do të ketë kompensim në paga për grevistët.
Kryeziu ka shpërndarë një postim të Ministres Nagavci duke shkruar se vetëm mësimdhënësit që kanë mbajtur mësim do të kompensohen, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Parimi ‘pagë për punë’ do të respektohet. Mësimdhënësit që kanë mbajtur mësim do të kompenzohen”, ka shkruar Kryeziu.
Të njëjtin qëndrim pak më parë e ka përsëritur edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Nagavci në një postim të gjatë ka akuzuar komunat duke thënë se nuk e kanë përmbushur obligimin e tyre që të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministrinë e Financave.
Ajo ka thënë se i kanë dorëzuar ato të dhëna që i kanë pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta.
Tutje, Nagavci ka thënë se ligji duhet të respektohet në tërësi, dhe këtë do ta bëjnë.
Ajo ka thënë se do të ketë kompensim, por siç ka shkruar Nagavci “kompensim për punën e bërë”.
“Bashkëpunimi e dialogu social do të vazhdojë, me parime e korrektësi, në interesin më të mirë të fëmijëve.
Kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë”, shkruan Nagavci ndër të tjera.
Mosekzekutimin e pagave vetëm për mësimdhënësit grevistë, e në anën tjetër procedimi i tyre për shërbyesit e tjerë civilë që ishin në grevë, kreu i SBASHK, Rrahman Jasharaj, e ka komentuar si tentativë të kryeministrit Kurti për ta rrënuar sindikatën e arsimit, të cilën ai thotë se nuk kanë mundur ta rrënojnë as në vitet e 90ta.
Ai paralajmëroi veprime në rast të mosekzekutimit të pagave, por duke mos specifikuar se çfarë veprime do të ndërmarrin konkretisht.
Vendimin e Qeverisë për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevistë, e kanë kritikuar ashpër edhe partitë opozitare, por edhe deputetë të listës “Guxo” brenda koalicionit qeverisës. /Reporteri.net