Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka ndarë 2,61 milionë euro për pagesën e specializantëve.
Para kabinetit qeveritar, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, kjo shumë do të kontribuojë në hapjen e vendeve tjera për specializim.
“Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministria e Financave ka sjellë për aprovim kërkesën për ndarjen e mjeteve buxhetore për pagesën e specializantëve në vlerë 2 milionë e 610 mijë e 100 euro”, u shpreh Murati.
“Një ndarje shtesë që të mundësohet pagesa e specializantëve dhe po ashtu të ketë hapësirë për hapje të vendeve për specializim që janë të domosdoshme për sistemin tonë shëndetësor. Mjetet në vlerë prej 1 milion e 490 mijë euro ndahen për Ministrinë e Shëndetësisë kurse pjesa tjetër prej 1 milionë e 120 mijë e 100 euro ndahen në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve”.