Qeveria e Kosovës ka reaguar pas propozimit të të dërguarit special të ShBA-së, Gabriel Escobar, që vendimi për targat të shtyhet edhe për 10 muaj.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë për Klankosova.tv se Qeveria e ka për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë e vendimet qeveritare.
“Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën. Nuk është data 31 e as 30 tetor sot. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS. Ju bëjmë thirrje përsëri qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat, duke përfituar nga lirimi tatimor e doganor”, është shprehur Kryeziu për Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se Qeveria i kupton shqetësimet dhe brengat e Escobarit, pasi sipas Kryeziut, siguria dhe paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët mes Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë vizitës së fundit të Escobar në Kosovë, ai tha se i ka propozuar kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani shtyrjen e afatit për targa edhe për 10 muaj, por nuk kanë marrë ndonjë zotim.
Kujtojmë se afati për zbatimin e vendimeve për targa dhe dokumentet serbe është shtyrë më 31 korrik me propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.