Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të mbajë takime me përfaqësues të lartë shtetërorë në Francë, i cili ka shkuar në Paris për Forumin e Paqes me ftesën e presidentit francez, Emmanuel Macron.
Kështu ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit me anë të një komunikate për media, pa treguar nëse në Paris kryeministri Kurti do të ketë takim trilateral me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe Macronin, shkruan lajmi.net.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Paris, Francë, ku do të merr pjesë në Forumin e Paqes, me ftesë të Presidentit Francez Emmanuel Macron. Kryeministri Kurti do të merr pjesë në diskutimet në panel të këtij forumi prestigjioz, në pritjen e organizuar nga Presidenti Macron, si dhe do të ketë takime me përfaqësues të lartë shtetërorë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kurti ka thënë mbrëmë nëpërmjet një video-mesazhi se “ndoshta” do të takohet me Vuçiqin dhe Macron gjatë qëndrimit të tij në Paris.
“Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje”, ka deklaruar ai.