Qeveria e Kosovës ka miratuar Udhëzimin Administrativ për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtritshme dhe masave të tjera mbrojtëse, që përcakton çmimin maksimal të produkteve të derivateve.
Vendimi është marrë të mërkurën, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se çmimi maksimal për derivate do të përcaktohet nga ATK dhe Dogana e Kosovës, shkruan lajmi.net.
E njëjta ka thënë se në bazë të dhënave të ministrisë ku udhëheq, është vërejtur çrregullime në treg.
“Udhëzimi administrativ në fjalë bëhet me fjalë që të mbrohet konsumatori, për të mënjanuar çrregullimet në treg. Në bazë të të dhënave që posedon ministria, ka mos-përshtatje të çmimeve vendore krahasuar me lëvizje të çmimeve në tregun vendor. Andaj për faktin që mos-përshtatja e çmimeve është fakti që qeveria mund të përcaktojë maksimal të lejuar apo kufizimin e marzhës tregtare. Përllogaritjet për çmimin maksimal do të jenë të evidentuara nga Dogana e Kosovës dhe ATK”, ka njoftuar ajo.
“Në emër të MINT-it, i propozoj Qeverisë së Kosovës, miratimin e Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtritshme dhe masave të tjera mbrojtëse”.