Qeveria e Kosovës ka miratuar draft-strategjinë e sigurisë 2022-2027, e cila sipas kryeministrit Albin Kurti parasheh rreziqet, kërcënimet dhe sfidat e vendit në fushën e sigurisë.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 4 korrik, Kurti tha se kjo strategji është hartuar në konsultim edhe me partnerët e QUINT-it.
Në QUINT bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.
“Strategjia paraqet objektivat e ndërlidhura me interesat shtetërore siç janë: mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajta e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, siguria njerëzore dhe zhvillimi shoqëror, si dhe integrimi në strukturat euroatlantike dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë”, tha Kurti.
Sipas tij, parakusht për sigurinë dhe zhvillimin e Kosovës është anëtarësimi në organizatat euroatlantike.
“Synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe BE, si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Në këtë drejtim, Kosova do të aplikojë në Programin për Partneritet për Paqe dhe anëtarësim në Kartën e Adriatikut si dhe në mekanizma rajonalë të tjerë të sigurisë. Njëkohësisht Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat dhe do të zbatojë reformat e nevojshme për të plotësuar procesin e integrimit në BE”, tha Kurti.
Kjo është strategjia e dytë e sigurisë qëkur Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008. Pas miratimit në Qeveri, draft-strategjia do të dërgohet në Kuvend për t’u miratuar nga deputetët.
Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të këtij viti, autoritetet në Kosovë kanë shtuar thirrjet për anëtarësimin e vendit në Programin për Partneritet të NATO-s.
Po ashtu, krerët shtetërorë kanë paralajmëruar se Kosova gjatë këtij viti do të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Por, anëtarësimi në këta dy mekanizma vështirësohet për faktin se në NATO janë katër shtete që ende nuk e njohin Kosovës, ndërkaq në BE janë pesë shtete mosnjohëse.