Qeveria bullgare ka hedhur poshtë propozimin e Bojko Borisovit për të miratuar fillimisht formulën e presidencës franceze për të zhbllokuar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, sipas portalit bullgar “Dnevnik”.
Kjo u bë e qartë nga një koment i kreut të kabinetit dhe zëdhënëses së qeverisë Lena Borislavova.
Ajo tha se kryeministri Kiril Petkov nuk do të tërhiqet nga formula e shpallur në mënyrë të përsëritur për vendimin për Maqedoninë që të kalojë fillimisht në komisionin parlamentar për politikën e jashtme, pastaj në sallën plenare, ku do të merrte mbështetje të gjerë dhe më pas përmes Këshillit të Ministrat.
Qasja e Petkovit është e diskutueshme sepse, sipas Kushtetutës, politika e jashtme e Bullgarisë udhëhiqet nga qeveria, jo nga Asambleja Kombëtare.
Kryeministri ka ndjekur kursin politik të kronologjisë së kundërt, pas akuzave të shpeshta se ka persona që bëjnë një politikë të dyfishtë në mosmarrëveshjen për Maqedoninë e Veriut, duke u përpjekur të demonstrojë transparencë maksimale.
Më herët, ishte komisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi i cili bëri të ditur separtia më e madhe opozitare në Bullgari, GERB, pranoi t’i heqë veton Maqedonisë së Veriut, që kjo e fundit të hapë negociatat me Bashkimin Evropian.
Vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut ka penguar edhe vazhdimësinë e Shqipërisë për hapjen e negociatave.
“Falënderojmë liderin e opozitës GERB, Bojko Borisov, për marrjen e një vendimi historik për Evropën dhe për pranimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut bazuar në propozimin francez, që lejon vazhdimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut”, shkruan Varhelyi.
“Ne presim që qeveria t’i bëjë propozimet e nevojshme Parlamentit sot, në mënyrë që Evropa të mund të ecë përpara”, mbyllte shkrimin ai.
Propozimi francez
Franca, e cila kryeson presidencën e BE-së dhe mandati i saj mbaron më 1 korrik, prej kohësh është përpjekur për të zgjidhur “ngërçin politik”.
Ngërç, i cili ka bllokuar edhe vazhdimësinë e Shqipërisë për hapjen e negociatave.
Kjo, pasi rrugëtimi i dy shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për hapjen e negociatave shihet si i përbashkët.
Macron është shprehur i gatshëm për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve dhe respektimin e të drejtave themelore të pakicave.
Kovaçevski tha se ende nuk ka propozim në tryezë nga presidenca franceze dhe se Shkupi dhe Sofja duhet të gjejnë zgjidhje për çështjet e hapura.
Ndërsa kryeministri bullgar, Kiril Petkov, është shprehur se Bullgaria nuk do të bëjë asgjë nën presion në lidhje me Maqedoninë e Veriut.
Ai shtoi se shpreson që nga Brukseli do të ketë garanci për kërkesat bullgare, në rast se arrihet një marrëveshje mes dy vendeve.
“Ajo çfarë po synojmë, është që ta dimë nëse kërkesat bullgare, apo të drejtat e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut do të realizohen në kuadër të procesit integrues”, u shpreh Petkov.
Nga ana tjetër, pala shqiptare është shprehur se, nëse vetoja bullgare nuk do të hiqet, atëherë ajo do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut për çeljen e negociatave.
Sakaq, BE-ja është shprehur optimiste për përmbushjen e kushteve nga Shqipëria, por ndarje nga Maqedonia e Veriut: nuk ka!. /Koha.mk