Qentë endacak sulmojnë nxënësit e Shkollës Fillore “17 Shkurti” në Shirokë. Policia Rajonale njofton se më 22.01.2025, rreth orës 09:50, Drejtoresha e shkollës ka njoftuar policinë për një sulm nga një qen brenda objektit të shkollës.
Patrullat policore janë përgjigjur me urgjencë dhe, pas mbërritjes në shkollë, kanë vërejtur një qen brenda që dyshohej se kishte sulmuar nxënësit dhe paraqiste rrezik potencial. Qeni ka sulmuar edhe policët, por është asgjësuar shpejt, duke mënjanuar rrezikun e mëtutjeshëm, sipas policisë.
Policia ka ndihmuar nxënësit të dërgoheshin për mjekim në urgjencë, ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
Po ashtu, është njoftuar Drejtoria Rajonale e Policisë-Prizren, Prokurori i Shtetit, Sektori Rajonal i Hetimeve DRP-Prizren dhe Inspektorati Policor i Kosovës. Ka rezultuar se pronari i qenit është identifikuar dhe është arrestuar.
Dy nxënës kanë pësuar lëndime nga sulmi i qenit dhe janë në trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Një nxënëse, e lindur në vitin 2017, ka pësuar lëndime më serioze në kokë nga kafshimi i qenit, ndërsa dy nxënës të tjerë kanë marrë lëndime të lehta nga largimi i qenit. Hetimet janë duke vazhduar nga njësitet përkatëse.