Dhjetëra punëtorë të ish-ndërmarrjes “Rilindja” kanë protestuar të martën para lokaleve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për përshpejtimin e pagesës së 20-përqindëshit.
Ndonëse thanë se kanë marrë zotim se do të përfundojë pagesa e tyre vitin e kaluar, kjo gjë nuk ka ndodhur. Kësisoj, ata kanë paralajmëruar padi ndaj Qeverisë së Kosovës, AKP-së dhe Komunës së Prishtinës.
Zeqir Bekolli drejtor i gazetës “Rilindja” tha se ata do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre, madje edhe mund të ushtrojnë padi ndaj institucioneve.
“Kjo protestë është në shenjë zemërimi për zhegitjen e 20 përqindëshit për punonjësit tanë. Goditje këtij kolektivi i kanë dhënë edhe hajdutët e kolektivit të lidhur me politikën e kohës. Kurse lënda për të bëmat e tyre e dorëzuar në Agjencinë për Vajtimin e Korrupsionit dhe në Policinë e Kosovës nuk dihet se ku ka përfunduar. Pasuria e Rilindjes në Zvicër e Gjermani është zhdukur ndërsa ajo në Tiranë është uzurpuar e pajisjet tona janë shitur”, tha Bekolli.
“Krejt çka ka mbetur këtu në Prishtinë është pallati dhe 5.5 hektarë tokë të cilat i mori Qeveria. Procesi ka shkuar tepër ngadalë ndërsa kulmin e ka arritur vitin e kaluar. Qeveria në prag të Vitit të Ri i ka derdhur mjetet për 20% në AKP, dhe u zotua se pagesa do të bëhet me tre rata, por kjo nuk ka ndodhur. Bordit të AKP-së dhe qeverisë i drejtohemi që ta kryejë obligimin dhe t’i japin fund diskriminimit disavjeçarë qe iu bë punëtorëve të kësaj ndërmarrje”, tha tutje ai, teksa tha se në të kundërtën do ta padisin Qeverinë e Kosovës, AKP-në dhe Komunën e Prishtinës.
E Abdullah Zeneli, ish-shef i shitjes në shtëpinë botuese “Rilindja” ka thënë se atyre po u bëhet diskriminim.
“Qeverisë duhet t’i bëhet me dije se po i hyn në hak një segmenti të rëndësishëm të kulturës. Nëse ka veteranë të luftës, ka edhe veteranë të gazetarisë, qe kanë kontribuar për lirinë. I kemi ruajtur librat nga serbët, por nuk mundem me i ruajt nga Qeveria jonë”, tha ai.
Bajram Kabashi, ish-zëvendëskryeredaktor i gazetës “Rilindja”, tha se është shqetësuese qasja e Qeverisë nda tyre, teksa përmendi vrasjen dhe maltretimin e këtyre punëtorëve.
“Ne jemi ata që e kemi krijuar opinionin publik në një kohë kur ka qenë e vështirë ta shprehim opinionin. Shumë gazetarë të Rilindjes janë maltretuar e disa edhe janë vra. Është shqetësuese si i qaset kësaj shtrese intelektuale, Qeveria e Kosovës”, tha ai. /EO