Vlera e koeficientit në Ligjin e Pagave do të jetë 105 euro, është bërë e ditur në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën. Ligji që hyn në fuqi pas pak ditësh rregullon çështjen e pagave për mbi 82 mijë punëtorët e sektorit publik.
Kryeministri Kurti ka thënë se koeficientit për këtë vit është 105,ndërsa nga janari i vitit të ardhshëm planifikohet të jetë 110.
“Vlera e koeficientit për këtë vit është 105. Ndërsa në janar të vitit 2024 sipas përllogaritjes së Ministrisë së Financave ai do të jetë 110”, ka thënë Kurti.
Për të llogaritur pagën duhet shumëzuar vlerën e koeficientit me koeficientin. Pra pasi që vlera e koeficientit është 105 euro, zyrtari që ka pagë në koeficient 5 do të marrë pagë 525 euro bazë, pa llogaritur shtesat.