Një pjesë e konsiderueshme e artistëve shqiptarë projektet e tyre muzikore i publikojnë të enjteve në mesnatë, saktësisht në orën 23:59.
Edhe së fundi shumë projekte muzikore u publikuan pikërisht në këtë kohë.
Dhurata Dora dhe Elvana Gjata publikuan “Gajde” më 23:59.
“Gelato” e Ardian Bujupit dhe Ledrit doli në YouTube më 23:59.
Noizy dhe Loredana zgjodhën të njëjtën orë për “Heart Attack”.
Butrint, Tayna dhe Mozzik gjithashtu etj. Të gjitha të enjteve. Kjo zgjedhje nuk është rastësi.
Pse mesnata? Publikimi i projekteve në orare kur nuk ka fluks shikuesish është një taktikë që ndiqet në industrinë e muzikës për dy arsye. Së pari, këngëtarët njoftojnë kohën e publikimit dhe duke marrë parasysh se bëhet fjalë për një orë të vonë siç është mesnata, fansat mblidhen dhe presin që të dëgjojnë këngën. Kështu, krijohet një fluks i nxitur shikimesh.
Përmes fluksit që krijojnë, këngët kanë më shumë shanse të hyjnë në klasifikime të nesërmen në mëngjes a një ditë më vonë, pasi janë dëgjuar shumë për një periudhë të shkurtër kohore.
Pse mesnata e të enjtes, 1 minutë para se të jetë zyrtarisht e premte?
Përpara vitit 2015, këngët dhe albumet e rinj publikoheshin në ditë të ndryshme. Për shembull në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dita e preferuar ishte e marta, ndërkohë që shtete të tjera kishin ditë të tjera.
Mirëpo kjo taktikë ndikoi negativisht pasi u rrit pirateria. “Kjo do të thotë se dikush mund ta blejë një këngë/album në kohën kur është i disponueshëm diku dhe ta ngarkojë atë në faqe pirate. Kështu fansat në shtetet e tjera, ku kënga/albumi nuk është lançuar ende, mund ta shkarkojnë falas,” shpjegon për Complex Shanna Jade, drejtoreshë në Stem Music.
Kështu industria e muzikës vendosi që përgjithësisht albumet/këngët të publikohen të premteve. Megjithatë, nuk është kjo arsyeja kryesore sepse në një mënyrë ose në një tjetër, pirateria vazhdon. Publikimi të premteve u jep më shumë mundësi artistëve për të kryesuar në klasifikime.
Platforma si Spotify dhe Apple Music përditësojnë listat muzikore çdo të premte, gjë që inkurajon artistët që t’i publikojnë këngët/albumet në këtë ditë. Këngët e tyre shfaqen në New Music Friday ose në Hot Tracks.
Duhet shtuar edhe një arsye tjetër: Është bërë traditë./Paparaci.com