Policia e Kosovës, ka reaguar pas përfundimit të protestës së veteranëve, duke vlerësuar se protesta ka përfunduar e qetë. Kësisoj, PK-ja ka falënderuar organizatorët dhe pjesëmarrësit për sjelljen dhe bashkëpunimin e tyre.
Përmes një komunikate për media PK-ja, shton se çdo herë ka njohur të drejtën ligjore të qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta dhe manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Komunikata e plotë:
Policia e Kosovës (PK) si institucion i zbatimit të ligjit, ashtu siç e ka bërë të ditur përmes njoftimit zyrtar të publikuar dje me 15 qershor 2022, ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjes së protestës së lajmëruar sipas ligjit mbi tubimet publike nga Veteranët e UÇK-së,
Policia e Kosovës ç’do herë ka njohur dhe njeh të drejtën ligjore të qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Në të gjitha rastet veprimet policore janë realizuar konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, mbrojtjen e pronës private dhe asaj publike.
Asnjë veprim i Policisë së Kosovës nuk është ndërmarr në kundërshtim me procedurat e parapara ligjore, ku specifikohen qartë veprimet policore në rast të nevojës për ndërhyrje apo ndërmarrje të ndonjë veprimi policor në interes të mbrojtjes dhe ofrimit të sigurisë për personat dhe objektet e rëndësisë së veçantë.
Prandaj, konsiderojmë se të gjitha veprimet policore janë realizuar dhe do të realizohen në vazhdimësi në harmoni të plotë me procedurat ligjore që aplikohen dhe në asnjë rast të vetëm nuk do të veprohet në kundërshtim me to.
Policia e Kosovës vlerëson se protesta ka përfunduar e qetë dhe pa ndonjë incident, andaj falënderon në veçanti organizatorët dhe pjesëmarrësit për sjelljen dhe bashkëpunimin e treguar me PK-në.
Me respekt, Zyra për informim e PK-së.