I dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak ka thënë se Prishtina dhe Beogradi do të kenë pasoja negative nëse do t’i thonin ‘jo’ propozimit evropian, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Në një intervistë për “Tanjug“, Lajçak thotë se refuzimi i propozimit do të nënkuptonte refuzimin e normalizimit të marrëdhënieve dhe rrugës evropiane.
Lajçak tha se BE-së dhe Amerikës nuk mund t’i thuhet jo, nëse një gjë e tillë do të sillte stabilizim, normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si dhe përshpejtim në rrugën evropiane.
“Refuzimi i propozimit do të nënkuptonte refuzimin e një normalizimi të marrëdhënieve dhe rrugës evropiane, dhe SHBA, komuniteti ndërkombëtar dhe BE-ja do të reagonin ndaj kësaj. Tani për tani, nuk dua të hyj në pasojat negative. Mendoj se është e qartë për të gjithë se BE-së dhe Amerikës nuk mund t’i thuhet jo, veçanërisht nëse kjo mund të na sjellë stabilizim, normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, stabilizim të atmosferës në Ballkan dhe një rruge të përshpejtuar evropiane”, tha Lajçak.
I pyetur nëse takimi i fundit ishte vendimtar dhe i bazuar në parimin “merre ose lëre”, Lajçak tha se nuk do të donte të diskutonte formalitetet.
“Është e rëndësishme që të dyja palët ta pranojnë atë plan dhe të thonë zyrtarisht dhe publikisht se e pranojnë atë dhe pastaj mund të diskutojmë të gjitha detajet e tjera, mbi të gjitha zbatimin e planit”, tha Lajçak./Reporteri.net/