Prokuroria Speciale ka përcjellë një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit, ka bërë të ditur për RTK-në zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Kryeziu ka thënë për RTK-në se Kabineti i kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese duke ritheksuar gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij për intervistim.
“Për këtë kemi propozuar tre orare të takimit. Një për sot, dhe dy orare tjera për javën tjetër. Presim një përgjigje pozitive meqë sipas praktikës kjo nuk do të ishte hera e parë që një kryeministër intervistohet brenda zyrës së tij, dhe i mirëpresim në kryeministri”, ka thënë Kryeziu.
Kryeministri Kurti është ftuar për 16 dhjetor që të paraqitet tek Prokuroria Speciale për intervistim, por ky i fundit ishte jashtë vendit.
Si të tillë arsyetimin e Kurtit e pranuan edhe nga Prokuroria, duke thënë se do të bëjnë një ftesë tjetër.
Por nga kabineti i Kurtit u tha se kryeministri i pretë prokurorët në zyre që ta intervistojnë.
E një kërkesë të tillë duket se e kanë ripërsëritur edhe sot nga kabineti i Kurtit.
Nuk dihet nëse kryeministri do të shkojë në Prokurori Speciale për t’u intervistuar në lidhje me rastin e rezervave shtetërore, për çfarë edhe është thirrur.