Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në bazë të urdhëresës së lëshuar për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, sot ka realizuar aksionin “Brezovica”.
Ky aksion është vazhdimësi e rasteve të mëhershme.
Gjatë këtij aksioni janë kontrolluar dhe bastisur 11 lokacione të ndryshme, tetë prej tyre në Prishtinë, dy në Podujevë, një në Fushë-Kosovë.
Me këtë rast Policia e Kosovës ka arrestuar shtatë persona të dyshuar dhe të njëjtit me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Dhënia e ryshfetit”,nga neni 422 , “Fajdeja” nga neni 331 dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Po ashtu, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar prova të ndryshme materiale, për të cilat Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të i’u informoj në vazhdimësi”,thuhet në njoftimin për media, transmeton lajmi.net.
Ndaj personave të dyshuar, Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, pritet të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj./