Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në koordinim dhe bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda (DKR) në Prishtinë, Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjensinë Kadastrale të Kosovës, edhe sot, janë duke realizuar një inspektim në zonën e Brezovicës, i cili është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme lidhur me rastin “Brezovica.
Qëllimi i këtij inspektimi është identifikimi i ndërtimit të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe të njëjtat a janë në pajtim me ligjin.
Ndryshe, aksioni në zonën e Brezovicës është zhvilluar edhe të hënën.
Ndërkaq, nga ky aksion që është zhvilluar disa herë në këtë pjesë ka mbi 30 të arrestuar. Ata dyshohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi i ndikimit, dhënia e ryshfetit, marrja e ryshfetit dhe Falsifikimi i dokumenteve, etj.