Njësitë policore të Kosovës katër ditë më parë kanë arrestuar një person të dyshimtë.
Personi i arrestuar në këtë rast ishte Xhemajl Xhimi Sekiraqa. Deri tek arrestimi i të lartcekurit erdhi për shkak të një kërkimi ndërkombëtar.
Xhemajl Xhimi Sekiraqa ishte në kërkim prej shumë kohësh, nën dyshimin për “Grabitje”.
Edhe pse në lidhje me arrestimin e tij pati publikime të shumta, ku ndër të tjerash u deklarua edhe këngëtarja e njohur, Arta Bajrami, e cila njihet edhe si bashkëshortja e tij.
Në lidhje me këtë rast, lajmi.net ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë nga të cilët është konfirmuar edhe arrestimi e më pas ndalimi i të dyshuarit.
Madje nga kjo Prokurori është theksuar se pas ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të dyshuarit është kërkuar edhe caktimi i masës së paraburgimit.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, fillimisht është ndaluar personi në fjalë në kohëzgjatje prej 48 orësh, i cili ka pasur urdhër arrest ndërkombëtar për shkak të veprës penale “Grabitja”,u tha në përgjigjen e dhënë nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Ulaj po ashtu tha se “për të njëjtin është kërkuar masa e paraburgimit në Gjykatën kompetente”.
Në kuadër të këtij rasti nga Policia e Kosovës ishte thënë se operacioni operativ në këtë rast ka rezultuar me kapjen e të dyshuarit, të dënuar me dhjetë vite burgim.
“Policia e Rajonit të Prishtinës po vijon punën e saj me qëllim kapjen e personave të implikuar në raste kriminale, veçmas ata të cilët janë dënuar me vendim gjykate si dhe janë shpallur në kërkim në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në këtë drejtim veprimet operative të ndërmarra në funksion të angazhimit policor, dje kanë rezultuar me kapjen e të dyshuarit, të dënuar me dhjetë vite burgim. Operacioni u krye në orët e pasdites së djeshme, në rrugën “UÇK” në Prishtinë, me ç’ rast u arrestua dhe u procedua më tej në përputhje me urdhër arrestin ndërkombëtar; -Xh. S, mashkull, 43 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, ishte theksuar në njoftimin e bërë nga Policia e Kosovës.
Kur në fillim ishte raportuar për arrestimin e të njëjtit, pati edhe reagime të ndryshme në rrjetet sociale. Në profilin e tij në Instagram, i lartcekurit kishte publikuar edhe një fotografi bashkë me këngëtaren Arta Bajrami, duke bërë të ditur se gjendet në shtëpi.
Ngjashëm ka vepruar edhe vetë këngëtarja. Ajo publikoi fotografi duke thënë se bashkë me bashkëshortin janë duke kaluar kohë kualitative.
“Kohë kualitative me familjen. Bashkë dhe të lumtur! Data: 05.02.2023”,shkroi Arta Bajrami.
Duhet përkujtuar që në aludimet e para të bëra në lidhje me këtë rast, theksohej se i njëjti dyshohet për grabitje të gjërave tejet të shtrenjta e si pasojë ishte edhe në kërkim të vazhdueshëm nga autoritetet e hetuesisë./Lajmi.net/