Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka propozuar vazhdimin e paraburgimit ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Nuredin Lushtaku dhe dy të tjerëve.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.
Preteni tha se prokurorja e rastit ka propozuar vazhdimin e paraburgimit për tre persona që gjenden në paraburgim.
“Prokurorja ka propozuar vazhdimin e paraburgimit për tre persona që gjenden në paraburgim”, ka thënë për Telegrafin, Preteni.
Ndryshe, më 4 korrik, Gjykata Themelore në Mitrovicë ua kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Lushtakut dhe dy familjarëve të tij.
Të njëjtit dyshohen për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë e për armëmbajtje pa leje.
Ngjarja ka ndodhur më 2 korrik në Skenderaj, ku dy policë u plagosën pas një përleshjeje me disa persona, ku të përfshirë dyshohet se janë Lushtaku dhe familjarët e tij.
Sipas, prokurores së rastit, Fetije Bajrami, e gjithë ngjarja ka nisur pasi që djalit të ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dy zyrtarë policorë ia kishin shqiptuar një gjobë për shkelje trafiku. Ai pastaj e kishte thirrur babanë, e i cili kishte shkuar me dy vëllezërit e tij dhe kishin sulmuar dy zyrtarët policorë, Enver Berishën dhe Mërgim Gecin, pas një përleshjeje verbale që kishin pasur.