Megjithëse Komisioni i Venecias e konsideroi legjitim krijimin e mekanizmit (civil) të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme në Kosovë, Komisioni pati vërejtje të shumta dhe serioze për Projektligjin, duke e vlerësuar atë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe standardet ndërkombëtare.
Projektligji nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme u hartua nga Ministria e Drejtësisë me qëllim të përforcimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Projektligji përcakton krijimin e mekanizmit civil të konfiskimit në Kosovë, sipas të cilit pasuria e personave të caktuar mund të konfiskohet pa pasur nevojë për një dënim penal ndaj tyre, po qe se të njëjtit nuk arrijnë ta justifikojnë atë. Për këtë qëllim, Projektligji themelon Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, si institucion kompetent për verifikimin e pasurisë dhe zhvillimin e procedurave përkatëse pranë gjykatës.
Pas aprovimit të tij në Qeverinë e Kosovës më 29 dhjetor 2021, Projektligji iu propozua Kuvendit për miratim. Por, në mes të procesit legjislativ, për shkak të polemikave në Kuvend të Kosovës lidhur me këtë Projektligj, Kryetari i Kuvendit e referoi Projektligjin në Komision të Venecias, për të vlerësuar përputhshmërinë e tij me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Vlerësimi i Komisionit të Venecias për këtë Projektligj, në Opinionin CDL(2022)014 të datës 20 qershor 2022, është tejet negativ. Sipas Komisionit, në çështje të caktuara, Projektligji dështon të respektojë edhe standardet minimale të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit (para. 10).
Fillimisht, Komisioni i Venecias e sheh legjitim krijimin e një sistemi të tillë të konfiskimit në Kosovë, duke e parë atë si masë të rëndësishme në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Madje, Komisioni vlerëson se në kontekst të Kosovës “një masë e tillë mund të jetë e rëndësishme për të përcaktuar bazën e zhvillimit ekonomik të vendit” (para. 18). Megjithatë, natyrisht, për Komisionin e Venecias është esenciale që, pa marr parasysh qëllimin legjitim të kësaj mase, e njëjta të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën e vendit dhe standardet evropiane, në veçanti në fushën e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Në këtë drejtim, Komisioni gjen probleme serioze të Projektligjit.
Pothuajse nuk ka element të rëndësishëm të Projektligjit që Komisioni i Venecias nuk i bën të paktën një vërejtje. Komisioni vë në dyshim edhe vetë nevojën për krijimin e një institucioni të veçantë siç është Byroja. Megjithëse nuk pozicionohet se a duhet krijuar apo jo, Komisioni shtron çështjen se a do ta bënte krijimi i Byrosë luftën kundër korrupsionit më efikase apo vetëm sa do ta komplikonte sistemin aktual. (Nëse Byroja krijohet megjithatë, sipas Komisionit, funksionet e Byrosë dhe Agjencisë duhet të përshtaten së bashku, ashtu që të mos ketë dyfishim të punës së njëra-tjetrës.)
Probleme serioze Komisioni vëren edhe në pavarësinë dhe kompetencat e pamjaftueshme të Byrosë. Procedura tejet e politizuar e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm cenon pavarësinë e Byrosë, e cila sipas Komisionit është shumë e nevojshme për luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Në vend se të zgjidhet nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë votash siç përcakton Projektligji, Komisioni rekomandon që Drejtori të zgjidhet nga një komision i jashtëm (i përbërë nga përfaqësues të institucioneve të pavarura dhe ekspertë), apo që organi drejtues i Byrosë të jetë kolegjial dhe pluralist (ku anëtarët do të delegoheshin nga institucione të ndryshme). Pos mënyrës së zgjedhjes, duhet të ndryshojë edhe mënyra e shkarkimit të Drejtorit, të largohet mundësia e rikandidimit të tij si dhe mbase t’i zgjatet mandati. Në anën tjetër, Byroja duhet të ketë edhe kompetenca të mjaftueshme hetuese, që do i mundësonin të mbledhë informacione dhe prova në mënyrë të fshehtë dhe të shpejtë. Për këtë qëllim, sigurisht, nevojitet që Byroja të ketë edhe staf të mjaftueshëm dhe të specializuar.
Komisioni i Venecias ka vërejtje të shumta edhe në standardin e të provuarit në procedurë të konfiskimit. As vetë përkufizimi i “bilancit të probabiliteteve” në Projektligj nuk vlerësohet si adekuat dhe preciz sa duhet. Për caktimin e masës së përkohshme, Komisioni thekson që duhet të parashihet prag adekuat i të provuarit (Byroja të argumentojë dyshimin e arsyeshëm se pasuria është e paligjshme), ndërkaq në fazën e konfiskimit, barra e provës nuk guxon të kalojë tek pala tjetër automatikisht me fillimin e procedurës së konfiskimit, por duhet që së pari Byroja të argumentojë pranë gjykatës se pasuria, me gjasë, ka prejardhje të paligjshme. Siç është aktualisht, standardi joadekuat i të provuarit në Projektligj cenon të drejtat e palëve në procedurë.
Komisioni ka edhe shumë vërejtje tjera, të cilat nuk do mund t’i trajtojmë në detaje këtu. Për shembull, ka vërejtje në paqartësinë se cilat kushte duhen plotësuar që Byroja të fillojë procedurën e konfiskimit bazuar në informacione të jashtme, si dhe kur mundet Byroja të mbledhë informacione sipas detyrës zyrtare (para. 44-5). Pastaj, ka vërejtje në përcaktimin e obligimit për persona fizikë dhe juridikë privatë që të bashkëpunojnë me Byronë në dhënien e informacioneve dhe provave (para. 48).
Komisioni ka vërejtje edhe në mbrojtjen joadekuate të të drejtave të personave të tretë në procedurë, njoftimi dhe identifikimi i të cilëve nuk përcaktohet siç duhet me Projektligj (para. 54). Pastaj, sipas Komisionit, duhet të mbrohen edhe të drejtat e personit pasuria e të cilit vendoset nën masë të përkohshme, ku nuk duhet të bllokohet e gjithë pasuria (pasi personi duhet të ketë mjete të mjaftueshme për jetesë, para. 56), si dhe duhet që të parashihet shprehimisht kompensimi po qe se kjo pasuri humbet në vlerë dhe në fund nuk konfiskohet me vendim gjyqësor (para. 68). Projektligji duhet gjithashtu të garantojë të drejtën për të mos inkriminuar vetën, duke paraparë që të dhënat e ofruara me detyrim në procedurë të konfiskimit të mos mund të shfrytëzohen si prova në procedurë penale eventuale (para. 65). Komisioni gjithashtu e sheh problematike që familjarët e (ish-)zyrtarëve të jenë subjekte të ligjit njësoj si (ish-)zyrtarët, duke vlerësuar që ato duhet të trajtohen vetëm si “palë të treta” (para. 33).
Tutje, Komisioni rekomandon që procedura e konfiskimit të mos pezullohet në mënyrë automatike me fillimin e procedurës penale (para. 64), pastaj që të riformulohen disa përkufizime të Projektligjit (si p.sh., “pasuria e pajustifikueshme”) (para. 26-34), që të rishikohet centralizimi i trajtimit të rasteve vetëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë (eventualisht, të trajtohet nevoja e krijimit të një njësie të veçantë brenda kësaj Gjykate, para. 27). Komisioni madje ka vërejtje edhe në teknikën legjislative të përdorur, duke vlerësuar që për shumë çështje Projektligji nuk është dashur të ngarkohej por thjeshtë të referonte në ligjet e përgjithshme procedurale civile (para. 24), etj.
Siç shihet, Komisioni i Venecias jep vërejtje të mëdha për shumë aspekte të këtij Projektligji. Marrë parasysh problemet e shumta të tij, do të nevojitet që të tërhiqet Projektligji nga Kuvendi dhe të bëhet një rishikim i thellë i tij, për ta sjellë atë në linjë me Kushtetutën e vendit dhe standardet ndërkombëtare, konform Opinionit të Komisionit të Venecias.
Në fund, duhet theksuar që ky Projektligj i mangët është miratuar në Qeveri dhe dërguar në Kuvend pa një konsultim adekuat publik. Në kundërshtim me Rregulloren e Qeverisë për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimit Publik, Ministria e Drejtësisë shkurtoi afatin e konsultimeve për këtë Projektligj në vetëm gjashtë ditë pune, duke pamundësuar dërgimin e komenteve cilësore për një Projektligj kaq të detajuar.
Muaj më parë, në janar 2022, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar një Analizë të këtij Projektligji, ku shumica dërrmuese e vërejtjeve që jepen nga Komisioni i Venecias tani në Opinion janë dhënë edhe në atë shkrim. Të njëjtat komente IKD do t’i bënte edhe në faza të mëhershme, sikur konsultimi publik nga ana e Ministrisë të kishte qenë adekuat. Vlerësojmë që mungesa e konsultimit të mirëfilltë publik ka kontribuar dukshëm që Projektligji të pësojë kaq shumë kritika në Komision të Venecias.