Tre legjislatura u deshën të kalojnë që projektligji për financimin e subjekteve politike të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Ndonëse u përkrah nga shoqëria civile, kritika kanë për dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, të cilët nuk morën pjesë në votim, raporton Ekonomia Online.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se kjo është hera e tretë, përkatësisht legjislatura e tretë me radhë, që ky projektligj kalon nëpër procedurë ligjvënëse në parlament.
Ai ka kritikuar dy partitë opozitare, PDK dhe LDK për mospjesëmarrje në votim. Madje thotë se projektligji është dashur të përkrahet nga LDK-ja, e cila e kishte sjellë të njëjtin në kohën sa kryeministër ishte Avdullah Hoti.
“Fatmirësisht në legjislaturën e tretë është miratuar më në fund projektligji për financimin e subjekteve politike, ndonëse do duhej që ky projektligj të reflektojë një konsensus më të gjerë politik, pra që edhe partitë tjera opozitare PDK dhe LDK, të marrin pjesë në votim dhe ta miratojnë, duke e ditur që këto dy parti politike, e në veçanti Lidhja Demokratike e Kosovës, ka qenë në një rast iniciuese dhe është ajo që e ka sjellë këtë projektligj në Kuvend, përkatësisht gjatë legjislaturës së kaluar, në kohën kur ish-kryeministri Avdullah Hoti e kishte sjellë këtë Projektligj në Kuvend për miratim”, u shpreh Cakolli.
“Projektligji si i tillë adreson në masë të madhe shumicën e rekomandimeve të shoqërisë civile dhe është në përputhje me Komisionin e Venecias, por që ende ka shumë çështje që nuk janë përfshirë”, tha ai, teksa shtoi se kanë kërkuar që të rregullohet edhe çështja fushatës online dhe financimin individual të kandidatëve të cilët nuk janë të rregulluar me ligj.
Ndërsa politologu, Fidan Ukaj, thotë se miratimi i Projektligjit për financimin e subjekteve politike, është njëra ndër punët më të mira të këtij sesioni pranveror. Krahas miratimit të këtij projektligji, Ukaj punë të mirë e konsideron edhe kalimin e rregullores së re të Kuvendit.
“Është një lajm i mirë pas 12 vitesh kalon rregullorja në Kuvendin e Kosovës e cila ka pësuar disa ndryshime që mendoj që janë ndryshime pozitive. Në rregulloren e re tanimë kemi një element shumë të rëndësishëm nëse me rregulloren e vjetër është mbajt mbledhja e parë nga i pari i shtetit tanimë kur kalon periudha kohore një mujore deputetët mund të mblidhen vet dhe të bëjnë betimin. Ka edhe ndryshime të tjera ju për shembull pjesa e imunitetit është larguar fare dhe pritet që të bëhet një ligj i ri dhe të draftohet lidhur me imunitetin e deputetëve të Kosovës”, u shpreh Ukaj.
Teksa ka folur për këtë rregullore, Ukaj thotë se është dashur të ketë edhe sanksione ndaj deputetëve të cilët mungojnë në seanca.
“Ka qenë një problem shumë i madh. Në të kaluarën shumë deputet të cilët vetëm kanë hyrë e janë nënshkruar dhe janë larguar. Kemi pa dështime qoftë të kalimit të ligjit apo edhe të krijimit të kuorumit brenda seancave për shkak se ata nuk e kanë parë edhe si prioritet për shkak se ata janë të obliguar të jenë. Sanksionimi i mospjesëmarrjes në Kuvendin e Kosovës është diçka e mirëseardhur dhe duhet të jetë obligative”, u shpreh Ukaj.