Deputetët e shumicës në Kuvendin e Kosovës nuk e kanë mbështetur Projektligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë se qeveria ka punuar për hartimin e projektligjin që rregullon çmimet e barnave dhe të njëjtin do ta sjell në Kuvend gjatë sesionit vjeshtor.
Partia Demokratike e Kosovës, si propozuese e këtij projektligji ka kërkuar nga deputetët që të përkrahin këtë nismë meqë sipas tyre do të ndalonte abuzimet në këtë sektor.
“Ky projektligj është për t’i ndalur abuzimet dhe keqpërdorimet në sektorin e farmacisë dhe tregtinë me barnat. Më vjen shumë keq kur vërejtjet për këtë projektligj vijnë prej punonjësve të kompanive farmaceutike dhe kjo e sqaron më mirë pse Vetëvendosje është kundër këtij projektligji. Por mbrojtja më e mirë është sulmi çdo herë. Ja përkujtoj që asnjë lloj lidhje me oligarkët nuk e kam. Arben Vitinë e keni punësuar tek oligarkët. Ju e keni shit heroin e pandemisë. Ju jeni të shitur te oligarkët. Në kohën kur njerëzit po vdesin për barna. Ju po e dëshmoni që nuk jeni për t’i ndihmuar njerëzit. Ju jeni të lidhur me kompanitë farmaceutike edhe kjo ju shtyn të pengoni shqyrtimin e këtij projektligji dhe miratimin e këtij projektligji”, ka thënë deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu.
Sipas PDK-së, sfera e rregullimit të barnave dhe pajisjeve medicinale është prej segmenteve më të rëndësishme për shëndetësinë e Kosovës për të ndalur abuzime me blerjen e barnave me çmime shumë më shtrenjtë se çmimet e tregut.
Sipas tyre, qytetaret e Kosovë blejnë barna më shtrenjtë se të gjithë qytetarët e rajonit andaj një rregullim i cimeve me ligj është i nevojshëm sa më parë.
Por, sipas ministrit të shëndetësisë, Rifat Latifi një projektligj i tillë i hartuar nga qeveria do të sjellë në Kuvend në vjeshtë.
“Ju keni me pas shansin të na ndihmoni më shumë me këto për shkak se Ministria e Shëndetësisë, sipas programit legjislativ qeveritar për vitin 2022, i ka këto dy ligje. Edhe ligjin tjetër që kemi për të diskutuar pak më vonë, në fazën e fundit. Në realitet Projektligji për barnat ka mbaruar, është i kryer. Është jashtëzakonisht i mirë dhe ju keni me pas shansin të shtoni diçka, me heq diçka, por sigurisht do ta keni shansin ta bëjmë ligjin më të mirë. Po pajtohem me të gjithë juve që ne duhet të kemi ligj, sepse vetëm Bjellorusia dhe ne nuk kemi ligje për këtë, këtë do ta bëjmë dhe do ta realizojmë në seancën vjeshtore të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ministri i Shëndetësisë.
Ndërsa për projektligjin e propozuar nga PDK është shprehur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ku sipas ish-ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj kjo çështje duhet të marrë epilog sa më shpejtë në mënyrë që sipas tij të mbrohen qytetaret.
“Kjo çështje duhet të marrë një verdikt sa më shpejtë në mbrojtje të qytetarit dhe të pacientit tonë. Neve e përkrahin si të tillë dhe do ta japim kontributin nëse e merr votën, që do të duhej ta merrte, janë edhe dy muaj të tjerë që të gjithë ata të cilët e kanë qëllimin që të ndihmojnë qytetarët mund të japin propozime, mund të japin ide, mund ta ndryshojnë në masë të madhe të konsiderueshme ligjin e propozuar dhe të mos shkojmë duke e shtyrë në tërësi”, ka thënë Zemaj.
Miratim në parim të projektligjit të propozuar nga PDK ka kërkuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë që shumica duhet të përkrah këtë nismë në të kundërtën sipas tij rrezikohet që Kuvendi të ketë bllokadë.
“Është një iniciativë e cila duhet me u pa përtej një gjykimi të ngushtë të cilin e ka qeveria dhe shumica në këtë kohë. Nëse e shihni kështu ngushtë do të vijmë në një pozitë ku secilën temë, secilin ligj do ta shohim ngushtë, dhe mendoj që kjo e çon në një bllokadë Kuvendin e Kosovës për këtë arsye e ftoj Vetëvendosjen të miratojë nismën legjislative të Partisë Demokratike e cila kërkon rregullim dhe shumica e neneve të parashtruara këtu janë në vijë të plotë me diskutimet që u thanë, ndërsa komentet dhe çështjet që u ngritën gjatë diskutimeve të inkorporohen në lexim të dytë, përndryshe ju them në shtator shkojmë në bllokadë për shkak se si opozitë pastaj do të kemi ne pozicionin tonë opozitar”, ka thënë Tahiri.
Komisioni funksional për Shëndetësi i ka rekomanduar Kuvendit që të mos e miratojë në parim këtë projektligj me arsyetimin se qeveria tashëm e ka në strategjinë legjislative një projektligj të tillë.
Çështja e rregullimit të çmimit të barnave është përcjellë me debat në seancën e së enjtes ku partia në pushtet ka kritikuar qeveritë e kaluara pse nuk e kanë rregulluar një gjë të tillë për 20 vjet.
“Pse nuk e rregulluat për dy dekada çështjen e çmimit të barnave dhe pajisjeve dhe produkteve medicinale. Pranojeni që nuk e kishit qëllim, as tash nuk e keni qëllim rregullimin çmimeve të barnave për qytetarët dhe në interes të qytetarëve por keni qëllim përshtatjen e tyre për interesa të kompanive dhe zinxhirëve ku ju keni hise. Nëse vërtetë doni të reflektoni e t’i shërbeni vendit me diçka produktive atëherë propozoni diçka që ne nuk e kemi në agjendë. Kështu bëheni edhe kreativ edhe konstruktiv”, ka thënë deputeti i Vetëvendosjes, Besim Muzaqi.
E për këtë ka reaguar deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
“E tha kolegu pse nuk e keni bërë më herët për 20 vjet, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ua kemi sjellë lirinë, me Hashim Thaçin e ke shpallë pavarësinë, me Ramushin e Kadrinë e kemi bërë ushtrinë, nuk kemi mundur bre t’ua kryejmë të gjitha, më besoni, ju kemi lënë diçka edhe juve, këto ligje të paktën bëni ju”, ka thënë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Kjo deklaratë është përcjellë me të qeshura për të cilën ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Po më vjen keq Kamish që keni qenë kaq të zënë”, ka thënë Konjufca.
Diskutimet në lidhje me këtë projektligj janë duke vazhduar në seancën e Kuvendit të Kosovës.