Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport në mbledhjen e radhës ka votuar në parim Projektligjin për Arkivat Shtetërore, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komisionit, deputeti Ardian Gola, ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për këtë Projektligj duke sqaruar se Komisioni për Legjislacion dhe Integrime kanë konstatuar që të gjitha amendamentet janë në pajtueshmëri me Kushtetutën.
“Në këtë mbledhje kemi vetëm një pikë shqyrtimi i raporteve për Projektligjin për Arkivat Shtetërore. Me datën 22 e kemi dërguar 23 amendamente që Komisioni ka punuar në Draft-ligjin nga Qeveria. Mendoj që është bërë punë kogja e mirë. Komisioni për Legjislacion dhe Integrime kanë konstatuar që të gjitha amendamentet janë në pajtueshmëri me Kushtetutën”.
“Në arkivat shtetërore futen të gjitha çështjet arkivore. Ky ligj ka për qëllim t’i përcaktoj rregullat për funksionimin e shërbimit arkivor në Kosovë”.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha tha se Agjencia e Arkivave duhet të kthehet si institucion në kuadër të kryeministrisë.
“Unë kam kërkuar që të bëhet ligji. Arkivat duhet të kthehen në kuadër të kryeministrisë. Krejt arkiva jonë në kuptimin insitucional faktikisht ruhet aty, atëherë po pajtohem që arkiva duhet të jetë në kuadër të kryeministrisë dhe të kthehet ku ka qenë dikur”.“Ky institucion ka qenë pjesë e kryeministrisë dhe i jep kredibilitetin se çfarë nënkupton shteti i Kosovës. Pse duhet të kemi insistim që të mos rikthehet në vendin ku ka qenë”.
Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albena Reshitaj theksoi se konsideron që kjo agjenci të jetë në kuadër të kryeministrisë, raporton EO.
“Duke pasur rëndësinë e ligjit dhe arkivat nëse duam të jemi serioz dhe ta kemi me rëndësi këtë punë duhet të jetë në kuadër të kryeministrisë”.