Numri i bizneseve të reja të regjistruara gjatë vitit 2024 në Komunën e Prizrenit është afër nëntëfish më i madh, krahasuar me numrin e subjekteve afariste që janë shuar. Krahasuar me vitin 2023, ka një rritje të lehtë në regjistrimin e bizneseve të reja, ndërkohë që numri i subjekteve afariste të shuara është përafërsisht i njëjtë.
Drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Edin Shehu ka pohuar se në vitin e shkuar janë regjistruar mbi 950 biznese të reja, raporton Telegrafi.
“Në Komunën e Prizrenit gjatë vitit 2024 janë hapur gjithsejtë 953 biznese të reja. Në krahasim me vitin 2023 kemi ngritje për 60 biznese të reja që janë hapur në komunën tonë. Ndërsa sa i përket mbylljes apo shuarjes së bizneseve në vitin 2024 janë 110 biznese që kanë ndërprerë veprimtarinë”, ka thënë Shehu.
Sipas tij, lidhur me veprimtaritë, kryesisht bëhet fjalë për biznese të gastronomisë, të ndërtimtarisë, por edhe të tjera. Ai ka shtuar se muaji tetor prinë sa i përket regjistrimit të bizneseve ngase janë hapur 102 subjekte të reja afariste.
Sipas të dhënave zyrtare gjatë vitit 2023 në Komunën e Prizrenit janë regjistruar 892 biznese të reja derisa 112 sosh janë shuar.
Ndërsa në vitin 2022 në këtë komunë janë hapur afër 880 biznese të reja përderisa 130 subjekte afariste janë shuar, raporton Telegrafi.
Për drejtorin Shehu këto të dhëna tregojnë se në vitet e fundit ka pasur trend pozitiv për biznesin dhe është shprehur optimist edhe për vitin 2025.
“Duke marrë parasysh se kemi rritje vit pas viti në hapjen e bizneseve të reja, jam i bindur se ky vit do të jetë edhe më i suksesshëm sa i përket hapjes së bizneseve te reja”, ka përfunduar Shehu.