Kuvendi Komunal i Prizrenit ka shpallur të hënën Qytetar Nderi ish-presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiq, ka njoftuar Zyra për Informim e komunës.
Ai është cilësuar mik i pazëvendësueshëm, kontribuues i pashembullt, njeri i jashtëzakonshëm e politikan që ka lënë gjurmë në historinë e Ballkanit në mbështetjen të popullit shqiptar.
“Prandaj, sot, të gjithë së bashku jemi mbledhur që ta nderojmë një personalitet të jashtëzakonshëm si presidenti Stjepan Mesiq dhe t’i shprehim edhe një herë mirënjohjen, në emër të popullit tonë, për gjithçka që ai ka bërë për shqiptarët kudo qe janë”, tha mes të tjerash kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.
Postimi i tij i plotë:
Sot, isha jashtëzakonisht i nderuar që, në një mbledhje solemne të Kuvendit të Komunës, ta shpallim ish-Presidentin e Kroacisë, Stjepan “Stipe” Mesiq “Qytetar Nderi të Prizrenit”, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe veprën e tij për popullin shqiptar.
Me këtë rast, nderuam një personalitet të jashtëzakonshëm dhe i shprehëm edhe një herë mirënjohjen, në emër të popullit tonë, për gjithçka që ai ka bërë për shqiptarët kudo që jetojnë.
Kontributi i z. Mesiq në forcimin e lidhjeve mes vendeve shqiptare dhe Kroacisë, ka qenë i madh, pavarësisht se në historinë e vendeve tona, kemi qenë kombe e vende mike përherë, por, z. Mesic e forcoi dhe e ndërtoi lidhjen me rrënjë të forta e të qëndrushme.
Faleminderit President Stjepan “Stipe” Mesiq!