Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është pritur sot nga ministri Armend Mehaj, në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në këtë takim, ata, diskutuan rreth ndeshjes së futbollit ndërmjet Ushtrisë së Kosovës (FSK) dhe Ushtrisë së Shqipërisë (FARSH), e cila do të mbahet në Kampin Nacional në Hajvali, më 7 mars në orën 13:00 për nder të Epopesë së UÇK-së.
Me këtë rast presidenti Ademi theksoi se FFK do të jetë mbështetëse e këtij eventi me të gjitha kapacitetet e saj sportive. Në anën tjetër ministri Mehaj shprehu mirënjohjen e tij për kreun e FFK-së për bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të organizuar evente sportive për FSK-në.
Në fund të bisedës, krerët e të dy institucioneve arritën marrëveshje për nënshkrimin e një Memorandumi të Bashkëpunimit në fushën e sportit, që do të mundësojë organizimin e turneve të përbashkëta në të ardhmen dhe shfrytëzimin e aseteve të të dy institucioneve. /