Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pasi në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq dhe ai i Rusisë, Sergei Lavrov kanë nënshkruar një marrëveshje për të koordinuar politikën e jashtme.
Vela në një postim në Twitter ka shkruar se Serbia po punon për të harmonizuar më tej politikën e saj të jashtme me Rusinë.
Sipas tij, procesi i aderimit të Serbisë drejt Bashkimit Evropian duhet të ndalet.
“Serbia punon për të harmonizuar më tej politikën e saj të jashtme me Rusinë. Serbia nuk arrin të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në dhe shtetet e saj anëtare për Ukrainën. Aderimi i Serbisë në BE duhet të ndalet. Nuk duhet të ketë më dy fjalë në një moment kaq vendimtar për Evropën”, shkruan Vela.