Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të paralajmëruar për në orën 10:00, nuk ka pasur kuorum.
Kështu ka njoftuar kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila tutje tha se ky takim në aspektin formal nuk filloi, por kanë biseduar me shefat e grupeve parlamentare dhe anëtarë të tjerë të Kryesisë, për dinamikën e seancës së sotme dhe vazhdimin e pikave të papërmbyllura.
Ajo po ashtu bëri të ditur se janë dakorduar që me mocion në fillim të seancës së sotme, në agjendë të përfshihen edhe 5 marrëveshje ndërkombëtare që janë shtyrë nga java e kaluar.
“Pesë marrëveshjet janë në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe kanë të bëjnë me marrëveshjen IPA dhe të pestat do të mbështetën edhe nga partitë opozitare. U dakorduam po ashtu që të enjten e radhës të kemi një seancë me trajtimin e të gjitha pikave të papërmbyllura nga seancat e deritashme”, tha Kusari-Lila.