Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka ripërsëritur sërish që Kosova dhe Serbia duhet të intensifikojnë përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve, raporton Ekonomia Online.
Ajo u shpreh se si në takimin me kryeministrin dhe presidenten e ka theksuar se SHBA-ja e jep mbështetje të fuqishme për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Ajo tha se Kosova ka ndryshuar nga hera e fundit që ajo e ka parë, e kjo ka ndodhur sipas saj, si rezultat i një vendosmërie të hekurt të popullit kosovarë.
“Biseduam edhe për përparimin e normalizimit të raporteve me Serbinë. Në takimet me kryeministrin dhe presidenten e kam theksuar mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve për normalizim, dhe kam inkurajuar që Kosova dhe Serbia të intensifikojnë përpjekjet që të shpejtojnë rrugën drejt këtij normalizimi sepse çdo përparim në këtë drejtim do të ketë benefite për qytetarët e të dyja vendeve”, tha ajo.
“Është vështirë që të gjej fjalët që të shpreh se në çmasë ka ndryshuar Kosova prej që kam qenë këtu herën e fundit në vitin 1999. Është një Kosovë e ndryshme nga ajo që kam parë herën e fundit, e kjo ka ndodhur si rezultat i në vendosmërie të hekurt të popullit të këtij vendi. Po e lë Kosovën me një optimizëm të madh për të ardhmen e saj, ky vend i ri ka hedhur hapa gjigand gjatë kësaj kohe”, tha ajo.
Ajo tha se Shtete e Bashkuar të Amerikës që nga viti 1999 në Kosovë kanë investuar mbi dy miliard euro.
“Që nga viti 1999 ka arritur shumën e mbi dy miliardë euro dhe do ta ndihmojmë Kosovën që të zë vendin e vet që i takon në mesin e vendeve të integruara euroatlantike”, tha Power.