Fatmir Limaj i ka vizituar krerët e UÇK-së në Hagë.
Limaj ka thënë se, ky është emocion i veçantë që pikërisht në 17-vjetorin e lirimit të tij nga Tribunali i Hagës, t’i vizitojë bashkëluftëtarët e tij.
Ai ka thënë edhe se, beteja në Hagë, nuk është betejë personale as e Hashim Thaçit, as e Jakup Krasniqit, as e Kadri Veselit, as e Rexhep Selimit dhe të tjerëve, por përmes tyre, është betejë për Kosovën.
Postimi i plotë:
Emocion i veçantë që pikërisht në 17-vjetorin e lirimit tim nga Tribunali i Hagës t’i vizitoj bashkëluftëtarët e mi që ndodhen në objektin pas meje. Asnjëherë nuk e kam menduar që do të kthehem këtu për t’i vizituar krerët e UÇK-së, sepse kam qenë i bindur që jam luftëtari i fundit që futëm këtu dhe që dal nga kjo ndërtese.
Bashkëluftëtarët të cilët do t’i vizitoj sot e kanë të qartë që aty nuk janë për çështje personale, por për të zhvilluar betjën e fundit për pavarësinë e Kosovës. Një betejë ndryshe, me mjete të tjera, me mjete ligjore!
Ata janë të vetëdishëm që kjo betejë është për historinë e Kosovës. Pikërisht, këtu po tentohet përmbysja e historisë së lavdishme të kombit tonë, jo vetëm për ne që sot jetojmë, por për gjeneratat që do të vijnë edhe pas 100 viteve.
Kështu që, beteja në Hagë nuk është betejë personale as e Hashim Thaçit, as e Jakup Krasniqit, as e Kadri Veselit, as e Rexhep Selimit dhe të tjerëve, por përmes tyre, është betejë për Kosovën!
Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, prandaj epilogu i kësaj beteje nuk mund të jetë ndryshe pos fitore! Fatmir Limaj.