Policia e Kosovës ka konfirmuar se në mëngjesin e hershëm të së enjtes është raportuar se në lokacionin e quajtur “Shkëmbi i Dudës” në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë.
Në njoftimin e Policisë thuhet se përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime, përderisa rasti është duke u hetuar.
“Bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur ‘Shkëmbi i Dudës’ në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë.
Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime, përderisa rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, sot kanë hyrë në ditën e 20 barrikadat e vendosura në veri të vendit, ndërsa e fundit u vendos edhe tek pikëkalimi kufitar në Merdar, pjesën e Serbisë.
Vendosja e barrikadave nga grupe kriminale serbe u bë pas arrestimit të ish policit Dejan Pantiq, i dyshuar për sulm ndaj institucioneve të Kosovës, saktësisht zyrave të KQZ në veri të vendit.
Më shumë se 10 barrikada të vendosura nga këto grupe penguan qarkullimin e lirë të njerëzve, ndërkaq edhe reagimi ndërkombëtar në këtë drejtim ishte i dobët.