Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me djegien e dy veturave në Zubin Potok, të cilat kanë qenë të regjistruara me taraga RKS.
Sipas personave që e kanë raportuar rastin, veturat e tyre kanë qenë të parkuara në lagjen e tyre.
Veturat para një jave janë regjistruar me targa RKS.
“Më 30.03.2023, rreth orës 08:15, në stacionin policor në Zubin Potok janë paraqitur dy ankues meshkuj/kosovar të nacionalitetit serb dhe kanë raportuar se gjatë natës, konkretisht rreth orës 02:30, nga persona të panjohur iu janë djegur dy veturat e tyre private me targa të Republikës së Kosovës (RKS), sipas tyre të regjistruara rreth një javë më përpara. Palët ankuese raportojnë se veturat e tyre kanë qenë të parkuara e lagjen e tyre, para shtëpive të banimit. Pas pranimit të informacioneve njësitet policore menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore si dhe janë njoftuar ekspertë të zjarrit.”, ka informuar Policia.
Lidhur me rastin, sipas PK-së, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, është njoftuar prokurori kompetent me udhëzim, të të cilit është iniciuar rasti “zjarrvënie” për procedura të mëtejme hetimore.
Digjen dy vetura në veri, Presidenca e Kosovës: Strukturat ilegale po vazhdojnë frikësimin e serbëve
Mbrëmë në Zubin Potok janë djegur dy vetura në pronësi të serbëve të Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur Shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela.
Në një postim në Twitter, Vela ka shkruar se strukturat ilegale të Serbisë po vazhdojnë të frikësojnë serbët në Kosovë.
Sipas Velës këto vetura janë djegur vetëm për shkak se ishin të pajisuara me targa RKS, por që siç thotë ai, në Marrëvehjen e Brukselit, targat RKS janë të vetmet targa të veturave legale në Kosovë.
“Strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë frikësimin e serbëve vendas në Zubin Potok. Mbrëmë dy vetura në pronësi të serbëve të Kosovës janë djegur me sa duket vetëm për shkak se kishin targa RKS. Sipas marrëveshjes së Brukselit, targat RKS janë të vetmet targa të veturave legale në të gjithë Kosovën”, ka shkruar Vela në Twitter./