Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksionin e djeshëm në disa autosallone dhe lokacione në komuna të ndryshme të vendit.
Sipas njoftimit në raportin 24-orësh të policisë, është bërë e ditur se njësitet policore në koordinim me Gjykatën e Prokurorinë Themelore në Ferizaj, njësitet e ATK-së dhe njësitet e Doganës së Kosovës, kanë kryer kontrolle-bastisje në 21 shtëpi banimi dhe 11 objekte biznesi në lokacione të ndryshme si: prishtinë, Ferizaj, Gjilan dhe Vushtrri, shkruan lajmi.net.
“Gjatë bastisjes, fillimisht janë arrestuar 14 (katërmbëdhjetë) të dyshuar meshkuj kosovarë dhe më pas është arrestuar edhe 1 (një) i dyshuar tjetër, nën dyshimin se janë përfshirë në kryerjen e veprave të cekura, ndërsa si dëshmi janë sekuestruar: 8 (tetë) armë të ndryshme me 76 (shtatëdhjetë e gjashtë) fishekë kalibër i ndryshëm, 2 (dy) shufra metalike, DVR, 22 (njëzet e dy) vetura, 2 (dy) motoçikleta, 83,995 (tetëdhjetë e tre mi e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë) €, 16 (gjashtëmbëdhjetë) USB dhe dokumente të ndryshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me vendim të prokurorit të gjithë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.