Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i raportojnë rastet e dhunës në familje.
Në apelin e policisë thuhet se për t’i parandaluar rastet e tilla kërkohet edhe bashkëpunimi i të gjithë qytetarëve.
“Familja është gjëja më e rëndësishme në jetë, ajo është e shenjtë dhe e pazëvendësueshme. Familja fillon aty ku fillon jeta, andaj duaje dhe mbroje atë. Së bashku mund t’ia dalim nëse i themi ‘Stop’ dhunës në familje”.
Tutje, thuhet se dhuna në familje e shkatërron familjen dhe të ardhmen e shoqërisë.
“Pasojat nga dhuna në familje mund të jenë me dëmtime fizike dhe psikike, familjet shkatërrohen, fëmijët marrin një shembull jo të mirë, banorët e komunitetit ndihen të pasigurt”.
“Dhuna në familje ndikon te të gjithë. Për t’i parandaluar rastet e dhunës në familje, Policia e Kosovës, kërkon bashkëpunim me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”.
Policia u bën apel të gjithëve që t’i raportojnë rastet e dhunës në familje në:
– 092 nga tefonia fixe
– 192 nga vala
– 922 nga ipko
– 080019999
– info@kosovopolice.com