Policia e Kosovës ka parandaluar mbrëmë një rast të kontrabandimit me mallra.
Siç ka informuar Policia, dy shtetas serbë kanë tentuar të bëjnë kalim ilegal të vendkalimit kufitar nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë. Në kamionin e tyre janë gjetur rreth 257 pako me rreth 90.000 kokrra vezë, për të cilat të dyshuarit nuk kanë poseduar dokumente përkatëse.
“Policia e Kosovës, në vazhdën e kryerjes së detyrave dhe autorizimeve policore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sundimit të ligjit, lufton dhe parandalon dukuritë negative dhe paligjshmërinë, ku si rezultat i kësaj me datën 12.03.2023 rreth orës 20:40 njësitë policore nga policia kufitare gjatë mbajtjes së një pike kontrolli kanë ndaluar një automjet transportues me targa të Serbisë në të cilën ndodheshin i dyshuari A. S. drejtuesi i mjetit mashkull shtetas i Serbisë dhe pasagjeri J. A. shtetas i Serbisë. Gjatë legjitimimit të tyre është vërtetuar se të njëjtit kanë tentuar të bëjnë kalim ilegal të vendkalimit kufitar nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë, ku me këtë rast po ashtu është realizuar një kontroll tek personat e lartcekur dhe në kamionin e tyre janë gjetur rreth 257 pako me rreth 90.000 kokrra vezë për të cilat të dyshuarit nuk posedonin dokumente përkatëse.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Lidhur me rastin, automjeti është dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë Jug, ndërsa pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.