Policia e Kosovës njofton se edhe sot situata e sigurisë në veri të vendit është e njëjtë. Dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç dihet për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale.
Policia thotë se barrikadimi dhe aktet e tjera kriminale kanë vështirësuar punën e institucioneve të sigurisë.
“Aktet kriminale, vendosja e barrikadave, sulmet me armë zjarri e mjete shpërthyese, kanë vështirësuar punën e institucioneve të sigurisë, kanë cenuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave, por nuk kanë ndaluar punën e Policisë së Kosovës e cila në vazhdimësi është angazhuar maksimalisht në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve dhe vendit”, thuhet në njoftim.
Policia thotë se “në vazhdimësi e kemi bërë të ditur se Policia e Kosovës punën e bazon në vlerat e saja si profesionalizmi, përgjegjësia dhe integriteti, në kuadër të të cilave ofron siguri dhe trajton të gjithë qytetarët pa dallime”.