Poetja, përkthyesja, gazetarja dhe botuesja Fatijona Bajraj i bashkohet Listës “për Familjen”.
E pasionuar pas gjuhëve, veçmas atyre orientale, ajo ka zgjedhur ta mbështes koalicionin tonë. Bajraj shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në vendlindjen e saj në Skenderaj, për t’u orientuar më vonë në degën e orientalistikës, në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin “Hasan Prishtina”.
Krahas studimeve, atyre bazike dhe pasdiplomike, ajo ka themeluar shtëpinë botuese “Frymëzimi”, revistën letrare “Uji”, si dhe gazetën online “Frymëzimi”. Është po ashtu, bashkëthemeluese e Institutit “Frymëzimi”, i cili merret me trajnime për fusha të ndryshme. Është autore e 5 divaneve (përmbledhjeve me poezi), dhe dhjetëra veprave të përkthyera nga gjuha turke.
Eksperienca e pasur në këto fusha, ka bërë që emri i saj të lakohet edhe në gjuhët e tjera. Në revistat letrare turke “Tefrih”, “Kavlen”, “Aşikjar”, “Keşmekeş”, “Bişnev Dergi”, “Abis Edebiyat Dergisi”, “Yeni Nesil Dergi” kanë gjetur vend edhe punimet e saj. Fatijona shquhet për karakterin e saj të fortë, të vendosur, por edhe pasionin e saj që e ka për të bukurën. Ardhja e saj në radhët koalicionit, dëshmon që të rinjtë dhe të rejat tashmë e kanë gjetur një adresë të re.