Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e konfirmoi se në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit që mbahet nesër me 3 nëntor, pritet të diskutohet edhe plani gjermano- francez, për marrëveshjen gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi.
“Ditën e enjte, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë në Berlin, ku do të nënshkruhen tri marrëveshje të rëndësishme në Procesin e Berlinit. Mendoj që aty do ta ketë mundësinë që pastaj në detaje ta informojë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili pritet të jetë në Berlin, për atë se cili është qëndrimi i palës kosovare për këtë propozim”, tha Bislimi në intervistë për Radion ‘Evropa e Lirë’.
Ai u shpreh se plani është një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza, ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani.
“Kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë është 1 për qind, por ne besojmë që është më shumë, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”.
Ai e konfirmoi se e ka parë këtë dokument.
“Natyrisht që është parë. Është parë nga një grup shumë i vogël i njerëzve. Në këtë fazë, unë nuk mund të flas për përshtypjet, vlerësimet tona apo propozimet tona, por mund të them që propozimet i kemi të shkruara dhe të dërguara te Scholz dhe Macron”.