Dy persona janë plagosur sot rreth orës 02:00 në rrugën “Transiti i ri”, në Prizren pas një fjalosjeje në parkingun e një pikëshitjeje të derivateve.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se të dyshuarit menjëherë pas takimit kanë filluar të fjalosen dhe së paku një person ka shkrepur armën e zjarrit në drejtim të dyshuarve të tjerë.
“Më datën 29.01.2025, rreth orës 02:00 në rrugën ‘Transiti i ri’ në Prizren disa persona të dyshuar janë takuar në parkingun e një pikë shitje të derivateve. Të dyshuarit menjëherë pas takimit kanë filluar të fjalosen dhe së paku një person ka shkrepur armën e zjarrit në drejtim të dyshuarve të tjerë. Pas shkrepjes së armës persona të përfshirë janë larguar nga vendi i ngjarjes e dy nga ata kanë kërkuar ndihmën e mjekut në emergjencën e Spitalit Rajonale të Prizrenit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu tutje bëhet e ditur se Sektori i Hetimeve të stacionit dhe hetuesit e Sektorit Rajonal të hetimeve kanë dalë në vendngjarje dhe kanë mbledhë provat dhe dëshmitë.
“Dy nga të dyshuarit gjinden në trajtim mjekësor, gjendja e tyre sipas mjekut kujdestar është jashtë rrezikut për jetë, kurse të dyshuarit tjerë janë në kërkim. Policia gjatë natës ka bërë identifikimin e personave të përfshirë në rast, janë kryer kontrolle në disa vende, tre armë zjarri- pistoleta dhe dy automjete janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren është duke e hetuar rastin, në konsultim me prokurorin kujdestar rasti është cilësuar si ‘Vrasje në tentative’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim i pa autorizuar i armës”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/