Diplomati Wolfgang Petritsch, ka thënë se zyrtarët në Kosovë dhe Serbi duhet të çarmatosen verbalisht ashtu që të shtensionohet situata e krijuar në veri të Kosovës.
Në një intervistë për REL, Petritsch, ish i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën dhe ish-përfaqësues i Lartë për Bosnjë e Hercegovinën, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të mençur për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.
“Është vendim i mençur që kontribuon në ulje të tensioneve. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme, sepse në këtë rast, tentimet për zbatim të vendimeve nuk do të ndihmojnë në stabilizim të situatës, në të kundërtën, situata shumë shpejt mund të shndërrohet në konflikt serioz”.
“Trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë të përgatitura. Dhe, kjo tregon sa e rëndësishme është prezenca ushtarake ndërkombëtare në Kosovë. Mirëpo, nevojitet vazhdimi i dialogut. Kjo është e rëndësishme. Rruga e vetme që shoh unë si diplomat është që palët të bisedojnë dhe të angazhohen me (të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav) Lajçak dhe të gjejnë zgjidhje për këtë situatë të rrezikshme”.
Sipas tij, BE-ja duhet të bëjë më shumë për dialogun që e ndërmjetëson mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ky shembull tregon sesi zvarritja e procesit nuk funksionon.
“Potencial do të jetë, fatkeqësisht. Tash e sa muaj nuk është bërë mjaftueshëm në procesin e dialogut. Dhe, ja ku është rezultati. Në muajt e kaluar nuk kanë ndodhur shumë gjëra, në fakt asgjë nuk ka ndodhur. Këto lloje konfliktesh mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndalen. Bashkimi Evropian ka shumë përgjegjësi për këtë gjë. (Miroslav) Lajçak besoj se është i zënë natë e ditë për zgjidhje të situatës, mirëpo ai duhet të arrijë përparim edhe në aspektin e zbatimit dhe zgjidhje së konfliktit”.
“Bashkimi Evropian është pranuar nga të dyja palët si ndërmjetësues. Prandaj, blloku evropian është në rol udhëheqës, duket të jetë aktiv dhe prezent në Beograd dhe Prishtinë, në mënyrë që të shohim rezultate. BE-ja duhet të rrisë angazhimin. Ky është një nga shembujt më të rrezikshëm sesi zvarritja nuk funksionon. Dialogu nuk duhet të ndalet. Nëse ndalet, rrëshqasim në konflikt. Ecja përpara është strategjia që mund të rezultojë e suksesshme”, ka thënë Petritsch.
Intervistën e plotë mund ta lexoni KËTU.