Drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, në Serbi, Petar Petkoviq, ka vazhduar duke i komentuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Të enjten reagoi edhe për deklaratën e Kurtit dhënë për Reuters.
Kurti ka thënë të mërkurën se “tensionet në Veriun e Kosovës mund të përshkallëzohen”, rrjedhimisht sipas kreut të ekzekutivit “mund të ketë konflikt mes Kosovës dhe Serbisë”.
Por këto deklarata për Petkoviqin janë “fushatë kundër serbëve të Kosovës”.
“Ai që kërcënon me armët dhe bën thirrje për luftë, sulmon dhe akuzon serbët dhe Beogradin është Albin Kurti”, ka shkruar Petkoviq në Twitter.
Bashkë me postimin, Petkoviq i ka vendosur edhe dy fotografi propagandistike, pasi nuk janë konfirmuar kurrë që mbrapa tyre qëndrojnë shqiptarët.
Një fotografi thotë “Jesus hates serbs” që në shqip përkthehet “Jezusi urren serbët”, si dhe një tjetër fotografi përmban emrin e organizatës terroriste ISIS e vendosur nën mbishkrimin “Asociacioni i Komunave Serbe”.