Deklarimeve të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani, se Kosova është palë konstruktive në dialogun e Brujselit, u ka reaguar i ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, i cili tha konstruktiviteti i Kosovës “ilustrohet nga fakti se qe 3 mijë e 470 ditë nuk e kanë themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Me kënaqësi pranuam mesazhin e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit që Prishtina është e gatshme të intesfikojë dialogun. Se sa konstruktive është Prishtina është më së miri e ilustruar nga fakti se 3 mijë e 470 ditë refuzon të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Niseni intensifikimin nga kjo. Jepni rezultate në vend të gjuhës së urrejtjes”, ka shkruar Petar Petkoviç në Twitter.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me zv/ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Gabriel Escobar, kryeministri kosovar tha se Kosova është e gatshme për marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë e cila ka “njohjen reciproke në qendër”.
“Përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete që japim, Republika e Kosovës është treguar se është palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut. Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marredhenieve me njohjen reciproke në qendër”, ka thënë kryeministri.
Ndërkaq presidentja Osmani tha me Escobar ka biseduar për nevojën për të intensifikuar procesin e dialogut, dhe se Kosova është e përkushtuar në të.
“Shpreha shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë për moszbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë, duke përfshirë këtu shpërbërjen e strukturave ilegale kriminale që vazhdojnë të frikësojnë serbët e Kosovës dhe udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga SHBA-së”, tha Osmani para mediave.