Pesë shkolla në komunën e Gjakovës nisin sot procesin mësimor. Kështu është njoftuar zyrtarisht nga Drejtoria e Arsimit në këtë komunë.
Shkollat që kanë dalë me këtë vendim janë: shkolla fillore “Mustafa Bakija”, shkolla “Fan. S. Noli” në Dujakë, shkolla “Emin Duraku”, “Fehmi Agani” dhe shkolla “Yll Morina”.
“Drejtoria e Arsimit në komunën e Gjakovës është informuar zyrtarisht nga drejtorët e pesë shkollave se mësimi fillon sot, më 15 shtator. Shkolla fillore ‘Mustafa Bakija’, ‘Fehmi Agani’ cikli i ulët, ‘Emin Duraku’ cikli i ulët, ‘Yll Morina’ pjesërisht dhe ‘Fan S.Noli’ fshati Dujakë”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e shkollës “Mustafa Bakija” thuhet se përkundër ndërprerjes së grevës, mësimdhënësit e shkollës nuk janë dakord me mosrealizimin e kërkesave të tyre, dhe se janë të zhgënjyer nga takimi i fundit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Grevist.
Sot bëhen dy javë që rreth 300 mijë nxënës nuk kanë mundur të jenë në bankat shkollore, për shkak të grevës të BSPK-së, rrjedhimisht të SBASHK-ut.
Kërkesa e SBASHK-ut është që Qeveria e Kosovës t’i mbështetë me 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për paga, derisa Qeveria thotë se ka ndarë ka 50 euro për të gjithë punëtorët e sektorit publik në kuadër të pakos për përballje me inflacionin.Po ashtu, Qeveria thekson se janë bërë disa lëvizja në sektorin e arsimit e të cilat ishin kërkesa të SBASHK-ut.
Ndërkaq, nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Vjollca Shala, e ftuar në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com tha se greva nuk mund të vazhdojë deri në pafundësi, ndërsa shtoi se presin që Qeveria e Kosovës të reflektojë në realizimin e kërkesave të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
“Shpresa vdes e fundit. Herë dokurdo duhet të arrihet një zgjidhje. S’mundet greva të vazhdojë deri në pafundësi. Dëshira më e madhe e mësimdhënësve është që mësimi të fillojë qysh nesër. Të gjithë mësimdhënësit janë gëzuar për takimin e djeshëm me kryeministrin. Menduam se do të arrihet një marrëveshje”.
Mes tjerash, nënkryetarja e SBASHK-ut bëri të ditur se numri i shkollave të cilat janë në grevë aktualisht është 1 mijë e 187. E për dëmin që po u shkaktohet nxënësve Shala fajësoi Qeverinë.
Ndryshe, njohës të fushës së arsimit ditë më parë kanë theksuar për Telegrafin se çështje e kthimit të nxënës në proces mësimor nuk është çështje pazaresh.